Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria Komunale e Bujqësisë dhe Pylltarisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe të mjaltës si produkt dhe tendencën për futjen e saj si pjesë të përditshme ushqimit në sofrën gjilanase, ka realizuar projektin për mbështetjen e bletarëve në mekanizim elektrik.
Në kuadër të kësaj, janë ndarë 35 centrifuga elektrike për nxjerrjen e mjaltit, projekt i cili mundëson që brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër të kryhet punë e cila me mjete të mëparshme kërkonte ditë të tëra.
Shpërndarjen e këtij mekanizimi për bletarët e ka bërë drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe shefi i Kabinetit të kryetarit, Arbër Ismajli.
Ramadani ka thënë se jo vetëm sektori i bletarisë, por edhe të gjithë sektorët tjerë të bujqësisë e kanë mbështetjen e fuqishme të Komunës dhe kryetarit Lutfi Haziri.
“Me mbështetjen në këtë sektor, synojmë rritjen e prodhimtarisë dhe bletarinë ta bëjmë jo thjesht një aktivitet familjar, por një biznes të qëndrueshëm, ndërsa qëllimi i dytë është rritja e konsumit të mjaltës, nga trajtimi si medikament në konsumin ditor si pjesë të ushqimit”, ka pohuar Ramadani.
Drejtori i bujqësisë së Gjilanit ka paralajmëruar edhe aktivitete të tjera të kësaj natyre në mbështetje ndaj bujqve. /Telegrafi/