Site icon Telegrafi

Komuna e Gjilanit me përmbarues kundër borxhlinjve të Tatimit në Pronë

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Zijadin Maliqi, ka apeluar te të gjithë tatimpaguesit që të bëjnë pagesën e Tatimit në Pronë si e hyra e drejtpërdrejtë e qytetarëve për investime kapitale.

Ai gjatë një konference për media sot ka paraqitur punën që është bërë, sfidat që janë në të hyrat vetanake dhe pretendimet sipas planit të punës për pjesën e dytë të vitit 2018.

Maliqi ka thënë se janë duke punuar edhe në përgatitjen e Korniozës Afatmesme Buxhetore për vitin 2019 dhe vlerësimet e hershme 2020-2021.

“Apelojmë te të gjithë tatimpaguesit që të bëjnë pagesën e borxhit, sepse pas datës 1 korrik, fillojnë kamatat dhe ndëshkimet që janë rënduese për xhepin e tyre”, ka bërë të ditur ai.

Për më tepër, Maliqi tha se me ligjin e ri nga 1 tetori 2018 do të jenë të obliguar që borxhlinjtë t’i dërgojnë në përmbarues.

Borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj komunës për Tatimin në Pronë janë ish-ndërmarrjet shoqërore dhe bizneset e Gjilanit, por edhe amvisëria.

Gjatë këtij viti Drejtoria e Financave ka zotuar afro 2,500 lëndë, të shpenzuara ka afërsisht shumën e njejtë, kurse të çertifikuara dhe arkivuara janë 2,300 lëndë. /Telegrafi/

Exit mobile version