Komuna e Gjilanit me të gjitha institucionet në nivelin lokal, kanë bërë homazhe në 20 vjetorin e masakrës së Llovcës, ku ishin vrarë e masakruar shtatë martirë nga Llovca, një në Pogragjë dhe pesë në Malishevë.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se institucionet dhe populli në përgjithësi, janë ata të cilët do t’i përkujtojnë së bashku me familjet e tyre të rënët në luftën për lirinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Institucionet e Gjilanit dhe qytetarët në përgjithësi do t’i kujtojnë përherë të gjithë të rënët e posaçërisht të masakruarit sikur në fshatin Llovcë, Pogragjë, Malishevë, Lladovë, Llashticë e të gjitha fshatrat e Gjilanit, sepse ata u vranë në mënyrën më barbare, që historia e njerëzimit do ta mbaj mend luftën e Kosovës në paralelen e njëjtë me holokaustin që ka përcjellë vende të ndryshme nëpër botë. Vepra e tyre ishte sakrifica që ne të jetojmë të lirë sot dhe të kemi një Kosovë të pavarur dhe në rrugën e saj të fuqishme drejtë zhvillimit”, ka thënë mes tjerash Kurteshi-Emini.
Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu ka thënë se muaji prill në përgjithësi për Gjilanin është muaj i përkujtimit për të gjithë të rënët në këtë pjesë dhe në Kosovë.
“Sot ishim në vizitë lapidarit në Llovcë, Pogragjë e Malishevë, për t’i përkujtuar të gjithë të rënët në luftën për lirinë e Kosovës. Dua të përmendi një citat nga libri i shenjtë ku thuhet ‘dhe mos thuani se ata janë të vdekur, por ata janë të gjallë të cilët furnizohen çdo ditë me begatitë e të madhit Zot’. Pas 20 vjetësh ne përkujtojmë të rënët dhe njëkohësisht i ngushëllojmë familjet e tyre sepse gjaku i tyre është i përjetshëm për të gjithë ne”, ka thënë mes tjerash kryetari Aliu.
Përndryshe, nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, në ora 16:00, në teatrin e qytetit mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së Llovcës./Telegrafi/