Telegrafi

Komuna e Gjakovës: Zjarri në Tabhane na ka tronditur, por elementet që kanë vlera historike shpëtuan

Komuna e Gjakovës ka reaguar pasi objekti i Tabhanës e njohur edhe si muzeu i muzikës është përfshirë nga flakët.

“Ajo çfarë ka ndodhur sonte me objektin e Tabhanës, është një lajm i keq për Gjakovën, lajm i cili na ka shokuar e indinjuar të gjithëve”, thuhet në reagimin e Komunës së Gjakovës.

Megjithatë komuna është treguar e kujdesshme duke thënë se presin hetimin e policisë për ta kuptuar shkakun e zjarrit.

Për fat të mirë sipas komunës asnjë artefakt i muzeut të muzikës nuk është dëmtuar.

“Përveç keqardhjes, në këtë moment është i rëndësishëm fakti se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzeut të muzikës. Pra, të gjitha elementet që kanë vlera historike e artistike kanë shpëtuar”.

“Ajo çfarë mund të themi tjetër është informata e sigurtë se objekti i Tabhanës do të ri-ndërtohet vitin tjetër nga buxheti komunal”, përfundon reagimi i Komunës së Gjakovës.

Për zjarrin në objektin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë u raportua në orët e pasditës derisa u bë e ditur se nuk ka persona të lënduar./Telegrafi/

Më poshtë mund të shihni video të  djegies së muzeut, të postuara nga një qytetar në rrjetin social Facebook: