Komuna e Gjakovës ka përfituar sot dy autoambulanca, njëra prej të cilave tash e tutje do të jetë në shërbim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa tjetra në shërbim të Spitalin Rajonal “Isa Grezda”.
Kontingjenti me këto dy autoambulanca dhe disa pajisje e materiale tjera shëndetësore, kanë ardhur si donacion nga Holanda, si iniciativë e humanistit Wim Beeren, i cili vite më parë ka shërbyer në Gjakovë në kuadër të policisë së EULEX-it, kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të komunës së Gjakovës në Facebook, transmeton Telegrafi.
Në ceremoninë e pranim dorëzimit të këtyre dy autoambulancave, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë Gerrie Willems.
Me këtë rast, kryetari Gjini ka thënë se ndonëse këto pajisje janë shumë të nevojshme dhe të mirëseardhura për Gjakovën, ajo që duhet të vlerësohet edhe më shumë është miqësia e krijuar në mes të njerëzve nga Holanda dhe nga Gjakova, miqësi e cila kulmon me grumbullimin dhe sjelljen e ndihmave të tilla.
Ndryshe, ish – polici Beeren edhe disa vite më parë kishte siguruar dhe kishte sjellë si donacion një automjet zjarrfikës, i cili tashmë është në dispozicion të Brigadës së Zjarrfikësve në Gjakovë. Sipas tij, kjo nuk do të jetë ndihma e fundit, pasi ai me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij në Gjakovë dhe në Holandë, po planifikon edhe ndihma tjera për qytetin./Telegrafi/