Komuna e Gjakovës dhe drejtoria e Arsimit në këtë komunë, kanë shprehur ngushëllime për rastin tragjik në fshatin Jabllanicë, ku humbën jetën tre fëmijë.
Në njoftimin e Komunës së Gjakovës, thuhet se kjo tragjedi i ka lënë pa fjalë dhe mërzia e dhimbja të kalojnë gjithandej.
“Lajm i rëndë e shokues humbja e hershme e tre djelmoshave në Jabllanicë. Kjo tragjedi të lë pa fjale, e mërzia dhe dhimbja të kaplojnë gjithandej. Në këto momente të rënda, të gjithë të jemi afër familjeve Mehmeti, Rama e Morina, afër Jabllanicës e afër të gjithë atyre që i kanë njohur tre njomakët tanë. Rama, Ideali e Vetoni u prehshin në paqe e kujtimet e tyre jetofshin përgjithmonë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.
Në anën tjetër drejtoria e Arsimit ka thënë se bashkëndjenë dhimbjen me familjet dhe shkollat ku ata përjetësisht u larguan prej tyre.
“Drejtoria e Arsimit me dhimbje të thellë ka pranuar lajmin për vdekjen tragjike të nxënësve Ramë Mehmeti, Ideal Rama dhe Veton Morina. Në këto momente shumë të rënda bashkëndjejmë dhimbjen me familjet dhe shkollat ku ata përjetësisht u larguan prej tyre. Pushoni në paqe engjujt tanë”, thuhet në njoftimin e DKA-së në Gjakovë. /Telegrafi/