Telegrafi

Komuna e Gjakovës detyrohet të intervenojë me polici për të shpërndarë qytetarët që kishin dalë si për festë në Shkugëz

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar ashpër ndaj qytetarëve të cilët kanë dalur në natyrë në masë të madhe duke shkelur kështu urdhërat e institucioneve shtetërore për të mbajtur distancën prej dy metrash me njëri-tjetrin, njërin nga vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës pas paraqitjes së rastit të parë me coronavirus (COVID-19) në Kosovë.

Gjini ka bërë të ditur se kanë qenë të detyruar nga të intervenojnë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve që kishin dalur në Shkugëz.

“Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe shumë të lartë që secili prej nesh të infektohet me koronavirus, shteti ka vendosur që të mbyllen shkollat dhe shumë institucione tjera. Por nuk jemi në pushim vjetorë e as në ndonjë festë! Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz”, shkruan Gjini në Facebook.

Kjo sjellje skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve, tha Gjini është një injorancë e skajshme.

“Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme. Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe. Shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët”, shkruan Gjini.

Ndryshe, numri i të infektuarve me coronavirus (COVID-19), në Republikën e Ksoovës, ka arritur në 17.

Këtë e bëri me dije para pak minutash në konferencë për medie, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai po ashtu njoftoi se dy nga të hospitalizuarit janë liruar për në shtëpi, ndërsa përveç njërit nga pacientët që është më i moshuar, gjendja e të tjerëve është stabile. /Telegrafi/