Telegrafi

Komuna e Fushë Kosovës jep sqarimin e saj për protestën në shkollën “Daut Bogujevci” (Video)

Protestat e Këshillit të Prindërve dhe nxënësve të shkollës “Daut Bogujevci”, si shenjë pakënaqësie me vendimin e Komunës së Fushë Kosovës, që objekti i ri i shkollës t’i ofrohet shkollës “Mihail Grameno”, janë të arsyeshme dhe të përkohshme.

Kështu kanë theksuar nga Komuna e Fushë Kosovës.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim, Islam Shabani ka thënë për Telegrafin se kanë qenë të detyruar ta marrim një vendim të tillë.

Lexo po ashtu Nxënësit e Shkollës “Daut Bugujevci” në Fushë Kosovë vazhdojnë protestat dhe bojkotin e mësimit

Sipas tij, shkolla “Mihail Grameno”, ka numër të madh të nxënësve dhe ka punuar në tri ndërrime, e kjo e ka vështirësuar sipas tij, shumë punën e këtij institucioni.

“Ne u kemi thënë të presin pak, sepse shumë shpejt do ta bëjmë një zgjidhje. Vetëm sivjet, e pastaj do ta kalojmë këtë problematikë. Nuk duam të ua marrim shkollën, por vetëm ta shfrytëzojmë”, ka shtuar Shabani.

Sipas tij, ka hapësirë të mjaftueshme për nxënësit e shkollës “Daut Bogujevci” në objektin e vjetër.

Lexo po ashtu Prindërit në protestë: Komuna e Fushë Kosovës ia dha objektin e ri, shkollës 'Mihal Grameno'

“Mirëpo, kërkesa e tyre që në objektin e vjetër të “Daut Bogujevcit” të vendosen nxënësit e shkollës “Mihail Grameno”, është e pamundshme, sepse nuk ka hapësirë. Vetëm pak mirëkuptim po kërkojmë”, ka shtuar Shabani.

Ndryshe, protestat e prindërve dhe nxënësve të kësaj shkolle është duke vazhduar edhe të hënën, e të cilat vijnë si shenjë pakënaqësie me vendimin e Komunës së Fushë Kosovës, që objekti i ri i shkollës, i destinuar për nxënësit e shkollës “Daut Bogujevci”, t’i ofrohet SH.M.M.U “Mihail Grameno” për nxënësit e saj. Procesi mësimor është bojkotuar të hënën. /Telegrafi/