Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka marrë vendim që të lirojë për gjatë gjithë vitit 2020, kompanitë e transportit të udhëtarëve me autobus nga taksat komunale për vazhdimin dhe vërtetimin e rendeve të udhëtimit.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh dëmet e mëdha që ka shkaktuar pandemia me COVID-19 në ekonominë lokale dhe veçanërisht në kompanitë e transportit të udhëtarëve me autobus.
Po ashtu, në pajtim me bordin drejtues të NPL “Stacioni i Autobusëve” u mor vendim që për një javë (01.06.2020-07.06.2020), të lirohen nga pagesa e peronizimit, të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve me autobus, si masë që do të mundësonte rikuperimin më të shpejtë të kosto më të ulët të rinisjes së veprimtarisë nga kompanitë e transportit të udhëtarëve me autobus.
Këto masa nisin së zbatuari qysh nga dita e nesërme, 1 qershor, e si të tilla, të ndërmarra nga qeveria lokale, synojnë që brenda fushëkompetencave të saja, të ndihmojnë biznesin, në rastin konkret kompanitë e transportit.