Site icon Telegrafi

Komuna e Drenasit shënon muajin ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit

Me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për luftën kundër kancerit të gjirit, në Komunën e Drenasit është shënuar muaji ndërkombëtar i luftës kundër kësaj sëmundjeje me disa aktivitete.

Aktiviteti filloi në sallën e Kuvendit, ku takimin e hapi koordinatorja e njësisë për të drejtat e njeriut në Zyrën për Barazi Gjinore, Zahrie Podrimqaku-Subashi. Ajo theksoi se, në kuadër të shënimit të muajit rozë, që ka për qëllim sensibilizimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, janë mbajtur disa aktivitete nga Komuna e Drenasit.

“I gjithë organizimi u bë nga drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Drenasit, rëndësi të veçantë ju kushtua nga drejtoresha Lumnije Gjoshi- Krapi. Përveç kësaj drejtoresha Gjoshi – Krapi u përkujdes që në kuadër të Drejtorisë që drejton, të mbahet një manifestim i dinjitetshëm që do të kontribuojë në vetëdijesimin e grave në parandalimin e kancerit të gjirit”, thuhet në njoftimin e bërë nga komuna e Drenasit.

Dr. Shkëlzen Gashi mbajti një ligjëratë për të pranishmit, me temën “Kanceri i gjirit dhe parandalimi i tij”.

Pas takimit në sallën e Kuvendit, në nder të shënimit të këtij muaji, u zhvillua ecja tradicionale me moton “Një hap kundër kancerit të gjirit” në qytet.

Ky manifestim tradicional synon vetëdijesimin e shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe nxitjen e institucioneve përgjegjëse për të krijuar kushte më të mira për zbulimin e hershëm të sëmundjes, si dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version