Dy mijë banorë të fshatit Negrovc dhe 1,500 banorë të fshatit Vuqak janë të detyruar të udhëtojnë deri në Drenas vetëm për një injeksion. Kjo për shkak se Komuna e Drenasit nuk iu ka përmbajtur marrëveshjes së kompensimit material një banori, i cili kishte prishur dyqanin e tij për ta ndërtuar Qendrën e Shëndetësisë Familjare.
Ishte ndërtuar në vitin 2009 me qëllim që banorët e fshatit Negrovc të Drenasit, trajtimet shëndetësore t’i kenë më afër. Mirëpo, pavarësisht se i plotëson të gjitha kushtet për punë, Qendra e Shëndetësisë Familjare në fshatin Negrovc tash e shtatë vjet asnjëherë nuk u lëshua në funksion. Kjo për të shkak të kontestimit të këtij objekti nga një banor në pronën e të cilët është ndërtuar.
Sejdi Krasniqi pretendon se kishte lëshuar pronën për ndërtimin e kësaj Qendre Shëndetësor, pas marrëveshjes së arritur me Komunën e Drenasit për kompensim, marrëveshje kjo që nuk u zbatua nga komuna, gjë që ka shtyrë Krasniqin ta pengojë funksionalizimin e saj.
Krasniqi tha për KosovaPress, se do të pres edhe disa ditë që Komuna e Drenasit të përmbush premtimin për kompensim, në të kundërtën objektin e Qendrës së Shëndetësisë Familjare, do ta shfrytëzojë për nevoja personale.
Se Sejdi Krasniqi kishte arritur marrëveshje për kompensim me Komunën e Drenasit, e tha për KosovaPress edhe drejtori i shkollës fillore në fshatin Negrovc, Sefer Krasniqi.
“Këtu një bashkëfshatar e ka lëshuar tokën për ambulantën, por ka pasur të kompensohet toka. Toka nuk iu është kompensuar dhe më nuk është në funksion që prej ndërtimit diku në vitin 2009. Sipas informatave kjo së pari kishte të ndërtohet edhe në oborr të shkollës, por shkolla nuk ka lejuar sepse nuk ka oborr të mjaftueshëm edhe për atë pronarët e kanë leshu, por prapë se prapë kjo nuk është funksionale. Edhe pse bashkëfshatarët kanë nevojë për ambulant, sepse edhe kur vinë për t’i vaksinuar fëmijët, vijnë në objekt shkollor se ambulanta nuk është në funksion. Ne duhet të lirojmë një klasë në mënyrë që mjekët ta kryejnë punën e tyre me vaksinimin e fëmijëve të fshatit. Kjo ka qenë para se të filloj të ndërtohet, t’i kompensohet por problemet më nuk i dimë”, tha Krasniqi.
Kryetari i fshatit Negrovc, Bekim Krasniqi tha se arsyeja që komuna ka dhënë për mos kompensimin e tokës ka qenë se asamblistët nuk janë pajtuar që të bëjnë ndërrimin e pronës në vendin ku është premtuar.
Krasniqi tha se 2000 banorët e fshatit Negrovc dhe 1500 banor të fshatit Vuqak janë të detyruar të shkojnë në Drenas vetëm për një injeksion.
Mes të tjerash, ai ka thënë se kjo marrëveshja e kompensimit është bërë para se të fillojë ndërtimi objektit.
“Kur është ndarë buxheti për ndërtimin e ambulantes tonë, na kan ë njoftuar neve dhe në pranverë ne kemi bashkëbiseduar me fshatarët që vendin, lokacionin më të përshtatshëm të mundshëm ku mund ta vendosim ambulantes. Sejdia ka pasur një lokal ku ka pasur një biznes dhe me bashkëbisedim,ai ka pranuar të rrëzoj lokalin dhe hala pa filluar, janë bërë marrëveshjet që të lëshoj Sejdiu tokën, me prish lokalin dhe me u ndërtuar ambulanten dhe komuna të kompensoj tokën në Komoran. Ka ngecur një arsye shumë banale, që prej vitit 2010, është e ndërtuar ambulanca dhe jo komuna, jo Kuvendi, jo drejtori. Nga ana e drejtorit, ata mund të fillojnë punën por çështja është tek kuvendit. Kryetari vazhdimisht ka premtuar, ka thënë që do të kryhet dhe ka shkuar në kuvend prapë në pikën zero, por nuk ka caktuar afat kohor”, tha Krasniqi.
Ndërsa, Komuna e Drenasit po e thonë të kundërtën.
Bekim Dobra, zëdhënës i komunës ka thënë se fillimisht një banor i këtij fshatin ka shprehur dëshirën që të lirojë tokën për të ndërtuar ambulanten, kurse, pasi është ndërtuar objekti, pronari i tokës po kërkon kompensimin e tij në fshatin Komoran.
“Ambulantes në Negrovc është ndërtuar nga një investitor, donator. Fillimisht një banor i fshatit Negrovc ka shprehur vullnetin dhe dëshirën që ta lëshoj lokacioninvet për ndërtimin e ambulantes, mirëpo pastaj për disa procedura të shpronësimit objekti ka mbetur i papranueshëm teknikisht edhe nuk është në funksion. Ai prej ndërtimit nuk ka qenë në funksion, është në procedurë të shpronësimit, ku pronari i asaj parcele e ka kërkuar kompensim të pronës edhe nuk është gjetur mundësia deri më tani e kompensimit. Në një mbledhje të bordit të drejtorëve kryesuar ngakryetari është diskutuar gjerësisht rreth këtij problemi dhe do të shikohen mund ësit dhe ajo pronë të kompensohet te pronari, i cili e ka lëshuar tokën për ndërtimin e kësaj ambulante. Fillimisht ai e ka shprehur dëshirën që të jetë. Mirëpo nuk e di çështje private e tij që ma vonë ka kërkuar kompensim. Ajo parcela është në procedurë e sipër të shpronësimit, është munduar që i njëjti lokacion, hapësira e njëjtë t’i ndahet diku afër Komoranit, mes fshatit Sankovc dhe Komoran dhe ka mbetur që ky propozim vendim t’i dërgohet edhe anëtarëve të kuvendit dhe kuvendi të merr vendim që t’i jepet hapësira e njëjtë ku personi ka lëshuar tokën në shfrytëzim për atë pjesë”, tha ai.
Ai tha se politikat e komunës janë që paraprakisht objekti në fshatin Negrovc duhet t’i kryejë procedurat e shpronësimit, pastaj të bëhet edhe renovimi i atij objekti, pasi që për momentin nuk mund të bëhet një renovim i objektit në mënyrë që të jetë funksional./Telegrafi/