Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me drejtorët e drejtorive përkatëse dhe Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin e Zjarrfikësve.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Marrëveshja ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore për punonjësit e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, duke shfrytëzuar kapacitetet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas”.
“Kjo iniciativë synon të përmirësojë mirëqenien fizike dhe shëndetësore të zjarrfikësve, duke siguruar kujdesin e nevojshëm për një performancë të qëndrueshme dhe efektive”, thuhet në njoftimin e bërë nga komuna.
Po ashtu, theksohet se marrëveshja pasqyron përkushtimin e institucioneve për të përmirësuar kushtet e punës dhe jetesës së atyre që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve.
“Ky hap përforcon partneritetin ndërmjet Komunës dhe Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve, duke kontribuar në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të shëndetshëm për gjithë komunitetin”. /Telegrafi/