Komuna e Dibrës nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka marrë donacion prej 16 milionë denarë për rindërtimin dhe pajisjen e objektit aneks të kopshtit të fëmijëve “Bresha”.
“Edhe një investim kapital për komunën tonë. Investimi ka të bëjë me projektin e komunës së Dibrës ndërsa është pranuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, për kopshtin e fëmijëve “Bresha” me vlerë prej 16 milionë denarë”, njoftoi kryetari i komunës Hekuran Duka.
Sipas tij, projekti parasheh përfundimin e ndërtimit të objektit, me kapacitet për 62 fëmijë dhe kompletim të së njëjtës me pajisje të nevojshme.
Komuna e Dibrës me mjetet e saj do të marrë pjesë, mes tjerash, në vendosjen e ndriçimit publik, rregullimit të sipërfaqeve të gjelbëra, kyçjes së energjisë elektrike, kanalizim dhe ujësjellës ndërtimin e shtigjeve për këmbësorë etj.
“Memorandumi dhe marrëveshja dypalëshe u nënshkruan dje me ministren e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska në kabinetin e saj. Ndihma dhe bashkëpunimi i pushteitt qendror me atë lokal funksionon në mënyrë të shkëlqyer për të mirën e qytetarëve, ndërsa në këtë rast për më të shtrenjtit, fëmijët tanë”, citon Duka.
Kopshti në Dibër funksionon mbi pesëdhjetë vjet. Për momentin në dy objekte në qytet janë akomoduar 330 fëmijë, por nevojat janë më të mëdha.