Telegrafi

Komuna e Deçanit zgjidh problemin me menaxhimin e mbeturinave të amvisërive

Komuna e Deçanit, përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike dhe Shpëtim dhe Kompania Komunale “Higjiena” në bashkëpunim me organizatën qeveritare GIZ-I gjerman dhe me organizatën joqeveritare në Kosovë, Green Art Center-Prishtina (GAC) ne kuadër të projektit për Shërbime të Qëndrueshme Komunale, kanë finalizuar të gjitha përgatitjet për nisjen e operimit në grumbullimin e mbeturinave të amvisërisë në komplet territorin e Komunës së Deçanit.

“Sipas planit dinamik të zhvilluar,sipas zyrtarëve prej komunës dhe kompanisë komunale, gjatë muajit nëntor janë përfunduar të gjitha aktivitetet për sa i përket informimit qytetar dhe regjistrimit të të gjithë klienteve në këtë komunë dhe shtrirja e shërbimit ka vijuar gradualisht në mbi 70 % në muajin nëntor dhe 100% gjatë muajit dhjetor.

Njëherësh përmes punës intensive të grupeve punuese në terren janë përfunduar të gjitha aktivitetet përcjellëse për të shtrirë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në të gjithë territorin komunal, ku pritet që 13 fshatrat e mbetur të përfshihen në shërbim prej javës së ardhshme”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjerash,Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, tregon se tashmë kjo komunë ka bërë të gjitha parapërgatitjet dhe investimet e nevojshme për kompaninë komunale dhe është e gatshme për të përmbyllur me sukses kapitullin e ofrimit të shërbimit për grumbullimin e mbeturinave për të gjithë banorët e komunës së Deçanit, me qëllim ndryshimin e pamjes mjedisore në këtë komunë. Ndër të tjerash kryetari i kësaj komune, Ramosaj falënderon banorët e komunës së Deçanit për bashkëpunimin në këtë reformë ambicioze për këtë komunë.

“Prej anës së GAC, Beu-Mucaj shprehet se zbatimi i reformave në menaxhimin e mbeturinave komunale, prej anës së komunës së Deçanit jep shembullin më të mirë që ka ardhur koha për të zgjidhur çështjen e menaxhimit të mbeturinave në nivel lokal duke ndërmarr veprime konkrete që krijojnë parakushte për një mjedis të qëndrueshëm e më të pastër. Sipas saj, komuna e Deçanit e ka përfunduar njërin prej objektivave në kuadër të planit komunal për menaxhim të mbeturinave që është ajo për shërbimin bazik, dhe prej vitit të ardhshëm kjo komunë do e ketë më të lehtë në avancimin e këtij sistemi duke konsideruar edhe nisjen e zbatimit të planeve konkrete për ndarjen në burim të mbeturinave.
Urojmë që ky hap konkret që ka ndërmarrë Komuna e Deçanit të jetë shembull suksesi dhe të zbatohet edhe prej komunave të tjera në Kosovë, të cilat nuk qëndrojnë mirë më menaxhimin e mbeturinave dhe ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/