Telegrafi

Komuna e Deçanit fiton të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Komuna e Deçanit ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj në një postim në Facebook.

“Në bazë të Vendimit Nr. 10663 për hartimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për pronat e shpallura me interes publik në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, miratuar nga Kuvendi Komunal i Deçanit, datë 29.03.2024, pranuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në pajtim me Rregulloren (QRK) Nr. 06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave dhe miratuar nga MAPL”, ka shkruar Ramosaj.

Ramosaj ka shtuar se çdo ditë e më shumë po arrijmë atë që kemi ëndërruar gjithmonë.

Ndryshe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në shkurt të këtij viti mori vendim për miratimin e planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Sipas këtij vendimi të gjithë personat fizik dhe juridik gjatë ushtrimit të aktiviteteve/veprimtarive në territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” janë të obliguar t’i respektojnë dispozitat e këtij plani si dhe legjislacionit tjetër në fuqi. /Telegrafi/