Telegrafi

Komuna e Çairit ndanë rreth 10 mijë euro për të prekurit nga tërmeti katastrofik në Turqi

Me propozim e kryetarit të Komunës së Çairit dhe me miratimin e njëzëshëm të këshilltarëve komunal, sot Komuna e Çairit ndau 600.000 denarë (9.766 euro)si ndihmë financiare për pasojat nga tërmeti në Republikën e Turqisë.

Mjetet janë siguruar nga Buxheti i Komunës së Çairit programi AO 412110, pra rezervat ekzistuese, gjegjësisht harxhime të paparashikueshme dhe do të transferohen në konton e drejtpërdrejtë të shtetit turk, që është hapur enkas për tërmetin.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm, sikurse edhe ju qytetarë të nderuar, se s’ka para që mund ta shlyej dhimbjen shpirtërore për humbjen e jetëve të njerëzve, megjithatë për momentin secila ndihmë do të jetë e mirëseardhur për të gjallit që kanë ngelur dhe për të rimëkëmbur jetën e tyre, për të rimëkëmbur vatrën e tyre, qytetin e tyre”.

“Përkujtoj se si Komunë e Çairit dhe në koordinim me shoqatat humanitare që veprojnë në territorin tonë dhe të cilat i falënderoj pa masë, tanimë kemi nisur drejt rajoneve turke të goditura nga tërmeti edhe ndihmë në gjësendet më të nevojshme në raste të katastrofave të tilla”.

“Njëkohësisht falënderoj edhe heronjtë e vërtetë nga Çairi ynë dhe që morën pjesë drejtpërdrejtë në aksionin e shpëtimit në Turqi, pjesëtarët e Shoqatës së zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari” të cilët menjëherë sa u dha lajmi për tërmetin u nisën drejt Turqisë dhe dhanë kontributin e pashoq atje”, ka shkruar në Facebook kryetari i Çairit./Telegrafi/