Site icon Telegrafi

Komuna do debat publik për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë (Video)

Ende nuk dihet se kur do të fillojë ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës ka propozuar debat publik për të diskutuar nëse projekti për ndërtimin e Xhamisë është në përputhje me planin rregullativ dhe urbanistik të kryeqytetit, raporton TV Arta.

Kjo pikë edhe konsiderohet të ketë lënë peng ndërtimin e këtij institucioni fetar.

Megjithatë arkitektët, të cilët qysh në fillim nuk ishin pajtuar me dizajnin e xhamisë, thonë se fjala e Komunës në këtë rast do të duhej të ishte më e fuqishme.

Qytetarët kanë mendime të ndryshime kur vjen në pyetje ndërtimi i saj.

Ndërkaq, televizioni ka pritur dy javë rresht për të marrë një qëndrim edhe nga Bashkësia Islame.

Zëdhënësi Ahmet Sadriu ka thënë se nuk ka kohë të flasë për këtë çështje, ndërsa kryeimami Sabri Bajgora na ka udhëzuar të flasim me kabinetin e myftiut të Kosovës, ndonëse sekretari i përgjithshëm Resul Rexhepi, i kontaktuar nëpërmjet telefonit ka thënë se kompetent të deklarohet për këtë temë është vetëm Bajgora.

Megjithatë TV Arta, ka kontaktuar edhe me kabinetin e myftiut Naim Tërnava.

“Është kohe pushimesh dhe kompetentet mund të jenë të zënë apo edhe në pushim. Unë u interesova dhe mora këtë përgjigjeje: I tërë dokumentacioni i nevojshëm, kohë më parë, është dorëzuar në KK të Prishtinës dhe ne jemi në pritje të përgjigjes zyrtare të tyre”, ka qenë përgjigjja e shefit të kabinetit të myftiut Tërnava, Ejup Ramadani.

Plani i Xhamisë po kundërshtohet pasi nën të parashihen të ndërtohen disa lokale.

Exit mobile version