Telegrafi

Komuna, 100 mijë euro borxh “Termokosit”

Gjatë vitit që lamë pas i tepruan miliona euro. Por, Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari, Shpend Ahmeti, nuk i ka shlyer obligimet ndaj ngrohtores “Termokos” për borxhin që e akumuloi vetë. Rreth 100 mijë euro për periudhën janar – prill 2014 dhe dhjetor 2014 i ka borxh Komuna e Prishtinës ngrohtores së qytetit “Termokos”.

Deri para këtyre datave, Komuna i ka deponuar paradhënie Ngrohtores, ngase ishte në gjendje të keqe financiare. Obligimi është grumbulluar nga marrja e detyrës së kryetarit Ahmeti e deri më tani.

Siç merr vesh gazeta “Zëri”, borxhi është i institucioneve arsimore, disa shkollave dhe çerdheve që janë të lidhura më rrjetin e ngrohtores.

Miranda Mullafazliu-Bejta, zyrtare e lartë për informim në Komunën e Prishtinës, thotë se për objektin e Komunës nuk kanë asnjë obligim. Ajo nuk ka treguar nëse institucionet e tjera të komunës i kanë borxh ndërmarrjes. “Komuna e Prishtinës i ka paguar të gjitha faturat e ngrohjes për ndërtesën e Komunës, ku Ngrohtorja e Qytetit ofron shërbimet e saj”, ka thënë ajo.

Detaje nuk kanë dhënë as në ndërmarrjen e komunës së Prishtinës, “Termokos”. Zëdhënësja e Ngrohtores, Afërdita Uka-Fejzullahu, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës se sa është borxhi që të gjitha institucionet e Kosovës kanë ndaj Ngrohtores e në veçanti, institucionet e komunës së Prishtinës që janë të lidhura me rrjetin e Ngrohtores.

“Aktualisht jemi në përgatitje të raporteve vjetore, pas përfundimit të të cilave do të ketë një pasqyrë të plotë edhe sa i përket çështjes së borxheve”, ka thënë zëdhënësja e “Termokosit”, Aferdita Uka-Fejzullahu. Një burim brenda Komunës i ka thënë gazetës se borxhi i Komunës ndaj ndërmarrjes është rreth 100 mijë euro. “Nuk është paguar asnjë faturë në “Termokos” për sezonin dimëror, prejse ka ardhur kryetari Ahmeti. Borxhi është 96 mijë euro”, i tha burimi gaztës. /Zëri/Telegrafi/