Site icon Telegrafi

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Grupet e punës mes koalicionit të drejtuar nga OBRM-PDUKM-ja dhe koalicionit VLEN janë kompletuar dhe do të takohen gjatë ditëve të ardhshme për të vazhduar negociatat që i paraprijnë një marrëveshje eventuale për qeverinë e re. Përbërja e tyre është në nivel të nënkryetarëve të partive dhe sekretarëve të përgjithshëm.

Burime të Alsat brenda grupeve të punës thonë se për momentin palët analizojnë programet e njëra tjetrës për të gjetur pikat mbi të cilat do të mund të formojnë programin eventual të qeverisë së ardhshme.

Çështjet që do të diskutohen të parat në tavolinën e negociatave janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, shëndetësia dhe inovacioni.

Negociatat mes palëve filluan të shtunën, me një takim mes liderëve të VLEN dhe kreut të OBRM-PDUKM-së. Pas takimit ata shkurt deklaruan se negociatat shkojnë në drejtim të duhur. Megjithatë, kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski ka deklaruar paraprakisht se fillimisht synon të marrë 61 deputetë, duke aluduar në përvetësimin e deputetëve nga parti të tjera. Më pas, ai tha se beson që deri në fund të qershorit të formohet edhe qeveria e re.

Mickoski nuk ka përjashtuar mundësinë që të ftojë në negociata edhe partin e Maksim Dimitrievskit “ZNAM” kurse më e distancuar politikisht, por pa e përjashtuar kategorikisht bashkëpunimin, është me partinë e Dimitar Apasievit “E Majta”./Alsat/

Exit mobile version