Site icon Telegrafi

Kompensimi i orëve të humbura mësimore, Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme ku të diskutohet për çështjen e kompensimit të orëve të humbura të mësimit gjatë 15 ditëve të grevës në fillim të këtij viti.

Deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të diskutojë mbi situatën e krijuar në arsim pas vendimit të SBASHK-ut për të refuzuar kompensimin e orëve të humbura, përkatësisht së paku 15 njësi mësimore gjatë grevës 3 javore nga 14 janari deri me 1 shkurt 2019.

Fillimisht sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00 Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme.

Çështja e kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) ka dorëzuar padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi, i cili përmes një vendimi ka kërkuar kompensimin e këtyre orëve.

Vendimi i ministrit Bytyqi ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, por ai nuk është respektuar nga shumica e shkollave fillore dhe ato të mesme./Telegrafi/

Exit mobile version