Telegrafi

Kompensimi, 1670 emrat dhe afatet kur do të marrin paratë

Teksa afati për ankimet e pronarëve në Gjykatën Administrative të Apelit është mbyllur pak ditë më parë, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka sqaruar mënyrën dhe afatet se kur bëhen tituj ekzekutivë, vlerësimet e publikuara në regjistrin elektronik. Në fakt, njoftimi i Agjencisë vjen edhe si një përgjigje ndaj shqetësimit të ngritur nga shoqata e pronarëve “Pronësi me Drejtësi” afro një javë më parë.

Në përgjigjen e institucionit thuhet se regjistri i vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës të subjekteve të shpronësuar, si dhe vlerësimet e vendimeve për vitet 1993 dhe 1994, është bërë publik, bazuar me ligjin e ri për trajtimin e pronave dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 223, date 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”.

Pas kësaj, shkresa, e cila iu referohet pikërisht aplikantëve pronarë të atyre viteve, vijon: “Sa më sipër, për vendimet e vlerësuara financiarisht të viteve 1993 dhe 1994, subjektet mund të paraqiten pranë ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e vlerësimit përfundimtar të vendimit në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM-në nr. 223 date 23.03.2016, e cila shpalos format, mënyrat dhe formulën e llogaritjes së çmimit të pronave”, shkruhet në përgjigjen e ATP-së. Njëkohësisht, kjo e fundit njofton se pas publikimit të listës dhe çmimeve përkatëse, çdo pronar ka të drejtë të ankohet në Gjykatë deri pas 30 ditësh, e këtë mund ta bëjë vetëm për vlerën e kompensimit nëse e arsyeton si të padrejtë. Por, ky rregull tashmë do të jetë i vlefshëm për pronarët që kanë aplikuar në vitin 1995 e deri më sot, pasi afati për pretenduesit që kanë dërguar dokumentet para këtij viti është mbyllur në datën 30 qershor.

Kompensimi financiar

“Shekulli” boton sot emrat e pronarëve, të cilët kanë fituar të drejtën për vlerësimin financiar, e në total shuma arrin 9.2 miliardë lekë. Teksa lista përmban 1500 pronarë, janë po kaq emra, të cilët janë gjetur me mangësi në dokumente e që nuk përfitojnë kompensim. Këtyre të fundit u jepet e drejta për të plotësuar dosjet deri në nëntor të këtij viti në ATP. Pronarët e mëposhtëm do të kenë mundësi të marrin të plotë pagesën dhe jo me këste sikundër është vepruar deri më tani. Për sa i takon afatit të aplikimeve, ai nuk do të jetë i limituar në kohë. Qytetarët mund të paraqiten në çdo moment për të dorëzuar dokumentet.

Kompensimi, 1670 emrat dhe afatet kur do të marrin paratë by JolaAlimemaj on Scribd