Site icon Telegrafi

Kompanitë do të punojnë në ndërrime edhe gjatë orës policore, punëtorët duhet të marrin leje

Uzinat prodhuese dhe fabrikat do të vazhdojnë prodhimin e tyre të organizuar në ndërrime edhe gjatë orës policore, ndërsa punëtorët gjatë ndalimit do të lëvizin me leje të posaçme për të kryer punë me ndërrime dhe natën. Ky vendim u miratua nga Shtabi Koordinues të Krizave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në të njëjtën kohë është miratuar edhe përmbajtja e lejes dhe të njëjtën janë të detyruara të lëshohen nga personat përgjegjës të kompanive, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Në të njëjtën kohë, u kujtojmë personave juridikë detyrimin ligjor që të raportojnë punën e natës. Përkatësisht, sipas nenit 127 të Ligjit për Punë, punëdhënësi që punëson punëtorë në ndërrime të natës ndërmjet orës 22:00 dhe 6:00 është i detyruar të informojë Inspektoratin e Punës (Inspektoratin Shtetëror të Punës)”, thuhet në deklaratë.

Qeveria ka dhënë edhe rekomandime për mënyrën e organizimit të procesit të punës:

1. Në uzina ku procesi i prodhimit kryhet drejtpërdrejt, numri i të punësuarve të kufizohet në atë masë sa punëtorët janë në një distancë prej 1.5 deri në 2 metra.

2. Në vetë uzinat është e detyrueshme të sigurohen dezinfektues për duart dhe sipërfaqet e punës.

3. Gjatë orarit të punës, punonjësit duhet të respektojnë masat e rekomanduara për një nivel më të lartë të higjienës personale dhe të përgjithshme (larja e shpeshtë e duarve dhe dezinfektimi me përdorimi të dezinfektuesve me bazë alkooli).

4. Të ventilohen vendet e punës sa më shpesh, domethënë disa herë gjatë ditës nëse është e mundur.

5. Një herë në javë të dezinfektohen të gjitha ambientet e punës, veçanërisht në uzina, nga një shërbim i autorizuar.

6. Në rast kontakti të drejtpërdrejtë me një rast të konfirmuar pozitiv nga laboratori me COVID-19 (me ose pa simptoma), personi duhet të izolohet menjëherë dhe raportohet në Qendrën kompetente të shëndetit publik.

7. Të shmangen kontaktet e punonjësve nga uzinat me njëri-tjetrin gjatë procesit të punës, dhe veçanërisht me personelin administrativ./Telegrafi/

Exit mobile version