Site icon Telegrafi

Kompanitë shtetërore në Maqedoni, ndër borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj shtetit

Me një borxh prej 5.2 milion euro, Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” është rekorder në mesin e institucioneve shtetërore për tatimet e papaguara. Pastaj vjen ndërmarrja komunale nga Gostivari. Në listën e zezë të debitorëve, që çdo muaj e publikon Drejtoria e të Ardhurave Publike, mund të shihen shumë kompani të mirënjohura dhe emra të njohur të biznesmenëve, që nuk paguajnë tatime në buxhet me vite të tëra.

Deri në fund të muajit të kaluar, borxhi i përgjithshëm i kompanive dhe qytetarëve ndaj DAP-it, arriti në 145.4 milion euro dhe për një muaj u rrit me 3.9 milion euro. Te kompanitë dhe institucionet shtetërore, përveç “Rrugët e Maqedonisë” në listën e atyre që nuk paguajnë tatime është edhe “Eurokompoziti” shtetëror i falimentuar. Borxhi ndaj DAP-it i kësaj kompanie për të cilën qeveria kërkon zgjidhje për ta shpëtuar nga falimentimi, që nga maji, arrin në 2.2 milionë euro.

Në krye të listës së borxhlinjve janë edhe disa ndërmarrje komunale që janë nën ombrellën e komunave. Ashtu që borxhi i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” nga Gostivari është 3.2 milionë euro. Ndërmarrja komunale publike – Tetovë, shtetit i detyrohet 2.1 milionë euro për tatimet dhe kontributet e papaguara.

Ndërmarrja publike “Standard” nga Dibra për tatimet e papaguara i ka borxh shtetit 1.3 milion euro dhe në listë është edhe Komuna e Karposhit e cila me një borxh prej 807 mijë euro është një rekorder në mesin e komunave për borxh ndaj DAP-it.

Ndër borxhlinjtë më të mëdhenj në mesin e kompanive shtetërore janë edhe Ndërmarrja Publike për menaxhimin e objekteve sportive, që i detyrohet DAP-it 817 mijë euro. Pastaj janë Radio Televizioni i Maqedonisë dhe Hekurudhat e Maqedonisë.

Nga kompanitë private, i pari në listën e borxhlinjve të DAP-it është kompania për prodhimin e autobusëve, El Don Kastoljo Angel, me një borxh prej 7.4 milion euro. Në listën e numrit të përgjithshëm prej 4,416 borxhlinjve, 1,937 janë kompani dhe 2,524 janë qytetarë./Alsat/

Exit mobile version