Telegrafi

Kompanitë nuk konfirmojnë vazhdimin e garës për ndërtimin e TC “ Kosova e Re”

Asnjë prej kompanive të parakualifikuara për procesin tenderues të termocentralit Kosova e Re nuk ka konfirmuar vazhdimin e pjesëmarrjes në këtë proces.

Të mbetura në garë vetëm konsorciumet CEZ/AEZ, i cili është me pronësi çeko-amerikane si dhe ai italiano-grek, Enel and Sencap, të pyetur nga Kohavisioni nëse do të vazhdojnë konkurrimin, nuk kanë dashur të bëjnë ndonjë koment lidhur me këtë. Njëjtë po veprojnë edhe hartuesit dhe përkrahësit e projektit.

Askush nuk po jep përgjigje se si duhet të vazhdojë procesi i tenderimit, kur në garë janë më pak se tri kompani, siç është dashur të jenë sipas ligjit për prokurim publik. Megjithatë, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, pa konkretizuar si, ka thënë se këtë punë do ta zgjidhin ekspertët në mënyrën më të mirë. Por, pjesëmarrja e vetëm dy ose një kompanie, nëse njëra eventualisht tërhiqet, sipas ekspertëve, e zbeh pozicionin e qeverisë ndaj kompanive investuese. Madje kjo shihet edhe si pengesë ligjore. /ktv/