Telegrafi

Kompanitë ftohen t’i dorëzojnë ofertat për aeroportin

Në garë kanë mbetur Bouyges Batiment/Egis/ Eurokoha – PAIC Consortium; Fraport IC ICTAS Havalimani Isletme A.S dhe Limak/Aeroport de Lyon Consortium. Komiteti Drejtues Ndërministror, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ftoi konsorciumet e kualifikuara që të dorëzojnë propozimet e tyre përfundimtare në bazë të specifikave të kërkesës për propozim dhe kushteve të Marrëveshjes përfundimtare për partneritetin publiko privat në ANP.

Ashtu siç ishte specifikuar në dokumentet finale të publikuara të hënën, afati për dorëzimin e propozimeve ishte 15 mars 2010. Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se po synon që përmes investimit të kapitalit privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndër të tjera, të sigurojë infrastrukturë moderne, përmirësim të komoditetit, shërbime të nivelit botëror, përfitime nga efikasiteti në operim si dhe transparencë të shtuar në operimin dhe financimin e aeroportit.

Përmes këtij koncesionimi, sipas qeverisë, Kosova do të përfitojë investime të huaja direkte në vlerë rreth 100 milionë euro si dhe përqindje nga të hyrat bruto të ANP-së, të cilat do të derdhen në buxhetin e Kosovës çdo vit, për 20 vitet e ardhshme. /Telegrafi/