Telegrafi

Kompanitë fillojnë të pajisen me arka fiskale

Edhe drejtoresha e shitjes në GEKOS, Fjolla Veseli, ka thënë se numri i bizneseve që është pajisur me këto pajisje nuk është shumë i madh, në krahasim me numrin e atyre që janë të interesuara. Ajo ka thënë se të gjitha bizneset e kontaktuara kanë qenë të interesuara dhe janë në mbështetje të procesit të fiskalizimit.
Zëdhënësja e ATK-së, Hava Ademi, ka thënë se deri më tani, në instalimet e para që janë bërë është parë se “procesi është duke funksionuar mirë”, ndërsa presin që edhe në të ardhmen të funksionojë njëjtë.
Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka pranuar asnjë ankesë nga bizneset, të cilat kanë instaluar pajisjet elektronike fiskale.
“Nëse eventualisht kanë probleme teknike, përgjegjëse për evitimin e atyre problemeve janë operatorët ekonomikë të licencuar, kështu që deri më tani çdo problem është evituar”, ka thënë Ademi.
Drejtoresha e shitjes në GEKOS, Fjolla Veseli, ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ankesë nga bizneset të cilat janë pajisur me PEF. Raporti i Laboratorit për licencimin e pajisjeve elektronike fiskale, përkatësisht ai Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike thotë se këto pajisje i plotësojnë të gjitha kriteret e parapara me ligj dhe kanë siguri të mjaftueshme që ky proces të funksionojë sipas kërkesave ligjore. Administrata Tatimore e Kosovës, sipas Ademit, do të marrë masa ndëshkuese të parapara me legjislacionin tatimor ndaj atyre që nuk do të përdorin pajisjet elektronike fiskale.
Bizneset duhet të respektojnë afatet e vendosura nga ATK-ja, në lidhje me instalimin e pajisjeve elektronike fiskale. Afatet e tilla janë të vendosura në Uebfaqen e ATK-së në linkun Arkat Fiskale. Zyrtarja e GEKOS-it, Fjolla Veseli, ka thënë se teknikët e kësaj kompanie do të raportojnë në ATK edhe për ndonjë parregullsi.
“Teknikët tanë në rast të intervenimit te ndonjë klient i pajisur me arkë fiskale ose nëse vërejmë se ndonjëri nuk punon me këto pajisje në mënyrën e duhur, jemi të obliguar të lajmërojmë ATK-në. Me siguri që ATK-ja do të marrë masa ndaj tyre në të dy rastet e cekura më lart”, ka thënë ajo.
Zëdhënësja e ATK-së, Ademi, ka thënë se bizneset duhet të respektojnë afatet e vendosura nga ATK-ja, në lidhje me instalimin e pajisjeve elektronike fiskale. Në bazë të një urdhri të Administratës Tatimore të Kosovës, që nga data 1 prill të gjithë tatimpaguesit që kanë pikat e shitjes me para të gatshme janë të obliguara të pajisen me pajisje elektronike fiskale. Në bazë të kësaj agjende të ATK-së, bizneset që janë në kuadër të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (NJTM) duhet të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF), më së largu deri me 15 maj të këtij viti. Bizneset që përfshihen në kuadër të bizneseve të mesme (NJTM në rajone) duhet të pajisen me PEF më së largu deri më 31 maj.
Bazuar në afatet e parapara nga ATK-ja për Fiskalizim, zëdhënësja Ademi ka thënë se bizneset e para të cilat do të fiskalizohen do të jenë bizneset e mëdha, të cilat i përkasin njësisë së tatimpaguesve të mëdhenj.
Rëndësia e implementimit të arkave fiskale qëndron në shtimin e sigurisë dhe në luftimin e ekonomisë informale, në vjeljen e plotë të taksave, si dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët nga bizneset.
GEKOS dhe “Dukagjini” janë dy operatorët e vetëm që janë licencuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave për shitjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve elektronike fiskale.