Site icon Telegrafi

Kompanitë evropiane njoftojnë marrëveshje në vlerë 40 miliardë euro me Egjiptin

“Kompanitë po nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje të reja ose Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me partnerët egjiptianë, të cilat kapin vlerën e mbi 40 miliardë euro”, ka njoftuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ursula von der Leyen tha se kompanitë evropiane po nënshkruajnë marrëveshje me vlerë më shumë se 40 miliardë euro me kompanitë egjiptiane, që përfshijnë një gamë të gjerë industrish.

Ajo e dha deklaratën nga Konferecna e Investimeve BE-Egjipt në Kajro, ku zhvilloi bisedime edhe me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah el-Sisi, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Në këtë konferencë, kompanitë evropiane po nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje të reja me partnerët egjiptianë, të cilat kapin vlerën e mbi 40 miliardë eurove. Kemi kompani në sektorë që variojnë nga hidrogjeni tek menaxhimi i ujit, nga ndërtimi tek kimikatet, nga transporti në aviacion dhe automobilistikë”, tha von der Leyen.

Gjithashtu, ajo mbrojti investimet në energjinë e gjelbër dhe trajnimin dixhital, duke vënë në dukje “qëllimin ambicioz të Egjiptit për t’u bërë një qendër e energjisë së pastër”.

Ndryshe, konferenca dyditore është pjesë e Partneritetit Strategjik dhe Gjithëpërfshirës Egjipt-BE për të cilin von der Leyen dhe el-Sissi ranë dakord në mars.

Marrëveshja mbulon marrëdhëniet politike, stabilitetin ekonomik, investimet dhe tregtinë, si dhe çështjet e migracionit dhe sigurisë. /Telegrafi/

Exit mobile version