Rreth 2,400 biznese në Kosovë operojnë në sektorin e industrisë prodhuese, të cilat arrijnë që produktet e tyre t’i eksportojnë në vende të ndryshme të botës. Për ndihmuar këtë industri, që ka pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka ndarë pesë milionë euro, por ende nuk ka filluar ekzekutimi i këtyre mjeteve.
Kompania “Plastika”, që gjendet në Parkun e Biznesit në Drenas, merret me prodhimin e folisë për agrikulturë dhe ndërtimtari. Produktet e saja, përveç se janë të pranishme në tregun e Kosovës, eksportohen edhe në 14 vende të botës.
Ardit Shabani, përfaqësues i kësaj kompani, thotë se është i informuar për fondin e ndarë nga qeveria në detyrë, por nuk ka njohuri për procedurat e nevojshme për të përfituar nga ky fond.
Megjithatë, ai thotë se duke marrë parasysh numrin e madh të bizneseve në këtë sektorë, shuma prej pesë milionë eurosh është e pamjaftueshme, krahasuar me humbjet e shkaktuara gjatë vitit të kaluar, kur ishin në fuqi masat kufizuese të lëvizjes, që kishin për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të sëmundjes COVID-19.
Shabani tregon se humbjet e kompanisë, e cila ka 80 punëtorë, kanë qenë deri në 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm. Ai thotë se posaçërisht kanë pasur ulje të nivelit të eksportit.
“Ky fond nuk besoj se do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për kompanitë prodhuese. Por, shpresoj që qeveria do të ndërmarrë një hap tjetër për këtë”, tha Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Në bazë të Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka ndarë mbi 222 milionë euro. Në kuadër të kësaj shume, pesë milionë euro janë ndarë për subvencionimin e eksportit për prodhuesit vendorë, të cilët kanë pësuar humbje për shkak të pandemisë.
Bajrami: Të rritet niveli eksportit
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, veprimtarinë e tyre e zhvillojnë 2,400 kompani prodhuese eksportuese. Në listën e bizneseve prodhuese, që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka dërguar Radios Evropa e Lirë, figuron edhe kompania “NewCo Ferronikeli”, kombinati “Trepça” dhe kompani tjera prodhuese që në Kosovë llogariten me kapital të madh financiar.
Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, tha se qëllimi i ndarjes se këtij fondi është që t’u mundësohet produkteve “Made in Kosova” të depërtojnë në sasi më të mëdha në tregjet ndërkombëtare.
Kosova me vite me radhë ka nivel të ulët të eksportit dhe vlera të larta zë importit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Doganës, Kosova ka importuar mallra nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej më shumë se katër miliardë euro, derisa ka eksportuar jo më shumë se 440 milionë euro.
Veseli: Shumë shpejtë fillon shpërndarja e fondit
Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, thotë se shumë shpejt do të fillojë ekzekutimi i mjeteve, pa dhënë ndonjë afat kohorë. Lidhur më këtë çështje, ai tregon se është formuar Grupi punues në kuadër të MTI-së, i cili është duke përgatitur planin konkret për zbatimin e masave për ndarjen e mjeteve.
“Mjetet janë sepse është vendim i qeverisë. Ka mbetur të vendoset për procedurat e nevojshme për aplikim dhe shumë shpejt të fillojë shpërndarja e mjeteve”, thekson Krasniqi.
Edhe ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, tha se pret listat nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të fillojë ekzekutimi i mjeteve.
Sipas një raporti të MTI-së, në sektorin e prodhimit janë të punësuar rreth 12 për qind e qytetarëve.
Përveç subvencioneve në vlerë prej pesë milionë eurosh, për të vazhduar afarizmin dhe për të mos mbyllur vendet ekzistuese të punës, Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka paraparë që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore në Kosovë, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit, të lirohet nga Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.
Po ashtu, Ministria e Financave ka shtyrë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Kompanitë prodhuese në Kosovë, ndërkaq kanë kërkuar nga autoritetet qeveritare që në procedurat e tenderimit, institucionet publike të fusin si kriter prodhimin vendor, si përkrahje për rimëkëmbje ekonomike pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Ndërkohë, mbështetje për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021. Në programin e kësaj partie thuhet se “mbështetje do të ofrohet për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo, çka është në qendër të angazhimit tonë si qeveri, arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve”. /rel/