Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Google dhe Facebook do të duhet të respektojnë rregullat e reja të konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar ose rrezikojnë të përballen me gjoba të mëdha.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Njësisë së re të Tregjeve Dixhitale (DMU) do t’i jepen kompetenca për të goditur “praktikat grabitqare” të disa firmave.
Rregullatori do të ketë gjithashtu fuqinë për të gjobitur kompanitë deri në 10% të qarkullimit të tyre globale nëse nuk respektojnë rregullat.
Përveç rritjes së konkurrencës midis firmave të teknologjisë, rregullat synojnë gjithashtu t’u japin përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre.
Departamenti për Dixhital, Kulturë, Media dhe Sport (DCMS) tha se përveç gjobave të mëdha, firmave të teknologjisë mund t’u jepen gjoba shtesë prej 5% të qarkullimit ditor global për çdo ditë që vazhdon një shkelje.
Dhe për kompani si Apple kjo mund të jetë dhjetëra miliarda dollarë amerikanë.
Megjithatë, është e paqartë se kur saktësisht do të hyjnë në fuqi ndryshimet, pasi Qeveria britanike ka thënë se legjislacioni i nevojshëm do të futet “në kohën e duhur”. /Telegrafi/