Site icon Telegrafi

Kompanitë e ndërtimit në Maqedoni ankohen për çmimet e larta të produkteve ndërtimore

Nga fillimi i pandemisë e deri në fund të vitit të kaluar, shënohet rritja e çmimeve të gjeokompozitit, termo-izolimit, polimer-bitumienit për asfaltin dhe profileve metalike për mbi 50 përqind.

Shtrenjtimet kanë vazhduar edhe sivjet.

Krijimi i një mundësie në kontratat e projekteve të ndërtimit për ndryshim shkallë-shkallë të çmimeve në përputhje me lëvizjet e inflacionit, sipas shoqatave dhe odave të ndërtimit, paraqet rrugëdalje nga situata në të cilën ndodhet sektori i ndërtimit për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit dhe luhatshmërisë së çmimeve.

Nisma është dorëzuar në Qeveri dhe në institucionet kompetente dhe janë mbajtur disa takime, me qëllim të gjetjes së mënyrës më të mirë për vazhdimin e realizimit të projekteve kapitale përkundër ndikimeve të jashtme nga konflikti ushtarak në Ukrainë dhe më parë nga pandemia.

Njëherësh vlerësohet se materialet e shtrenjtuara të ndërtimit ndikojnë si në projektet aktuale ashtu edhe në ato të ardhshme.

Materialet bazë të ndërtimit, sipas industrisë së ndërtimit, tregojnë rritje të ndjeshme të çmimeve, ku sipas Shoqatës së ndërtimtarisë pranë Odës ekonomike vetëm në periudhën mars 2020-mars 2021 çmimi i profileve dhe tubave të çelikut u rrit me 33 për qind, ndërsa nga marsi deri në qershor 2021 shtrenjtimet janë rritur me 33 për qind shtesë, ndërsa deri në fund të vitit për plus 95 për qind.

Gjithashtu shtrenjtimet i prekin të gjitha segmentet e ndërtimtarisë, si ndërtimin e ulët ashtu edhe atë të larta, si dhe investimet private dhe ato publike.

“Në prokurimet publike aktuale ka projekte që realizohen për tre, pesë e më shumë vite, ku në prokurimet me çmime fikse kompanitë punojnë në kushte të pandryshuara çmimesh të dakorduara disa vite më parë dhe me pamundësi të korrigjimi të tyre, ndërsa në prokurimet ku është përcaktuar pagesa shkallë shkallë, ajo nuk funksionon, apo nuk i reflekton rritjet e çmimeve në realitet. Problem i madh janë edhe prokurimet e reja publike, duke qenë se kushtet në të cilat parashikohen janë kushte që nuk përputhen me kushtet e sotme. Prandaj, vendoset në pikëpyetje edhe shpagueshmëria e realizimit dhe krijohet pasiguri në ndërtim, gjë që mund të çojë në dështimin e një sërë procedurash tenderuese”, thonë nga Shoqata e Ndërtimtarëve për gazetën Koha.

Nga atje kërkojnë nga kompetentët edhe përcaktimin përkatës të dallimeve në çmimet rrjedhëse dhe kontratat e reja për ndërtim.

“Muajin e kaluar kemi dorëzuar te institucionet kompetente një iniciativë të re për rishikimin e shkallës rrëshqitëse, gjegjësisht korrigjimin e çmimit, e cila aplikohet në shumicën e kontratave për ndërtim (realizim ) të projekteve që kryhen për një periudhë më të gjatë kohore”, thonë nga Shoqata e Ndërtimtarëve.

Njëherësh ata nuk presin përmirësim, por ulje të vëllimit të punës.

“Duke marrë parasysh situatën aktuale me krizën, si dhe përvojën e deritanishme në drejtim të administrimit dhe realizimit të projekteve kapitale, ku në kushtet tona pothuajse gjithmonë ka një mospërputhje mes shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara, nuk presim lëvizje të caktuara në një drejtim pozitiv, pra presim stagnim dhe ulje të vëllimit të punës në sektorin e ndërtimit”, shtojnë nga kjo shoqatë.

Në pjesën e ndërtimit të ulët, saktësojnë, se rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit vë në pikëpyetje rentabilitetin e realizimit të projekteve, për çka në raste të caktuara kompanitë i ndërpresin kontratat, veçanërisht ato ku nuk ka mundësi të korrigjimit të çmimit.

Në fushën e ndërtimeve të larta, ndër të tjerash, rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit sjell rritje të çmimit të apartamenteve, gjë që konfirmohet edhe nga vërtetohet nga të dhënat e Bankës Popullore.

Exit mobile version