Site icon Telegrafi

Kompanitë e arkave fiskale: Reagojmë ndaj deklaratave të Hotit dhe Bajramit

Shoqata e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit rreth procesit të fiskalizimit të bëra nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ministrja Bajrami, në emision “Subvencion” të RTK-së, ka deklaruar se çmimi i arkave fiskale në Maqedoni është 300 euro ndërkaq në Kosovë 600. “Asnjëra nga kompanitë e licencuara nuk posedon në treg arka me çmime 600 euro. Të gjitha kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale posedojnë arka me çmime më të vogla se 300 euro. Çmimi i arkave fiskale ne Kosovë, fillon nga 239 euro, pastaj 289 dhe 299, pra është edhe më i lirë sesa në Maqedoni dhe vende tjera të rajonit”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Sipas Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, një keqinformim tjetër ka ndodhur këto ditë edhe nga ministri i financave Avdullah Hoti i cili në emisionin “Zona e Debatit” deklaron se kompanitë e licencuara kanë bërë monopol sepse kanë formuar një shoqatë.

Shoqata ka sqaruar se formimi i shoqatës ka ndodhur në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe shoqata të tilla kanë po thuajse gjitha grupet e biznesit. “Ne kemi qenë për vite me radhë të sulmuar prej grupeve të llojllojshme të interesit duke krijuar opinionin se ne jemi duke punuar në mënyrë jo të rregullt. Prandaj formimi i Shoqatës në kuadër të Odës Ekonomike ka qenë i domosdoshëm për të pasur mundësi të reagojmë me një zë dhe për të treguar të vërteten rreth punës tonë dhe këtij procesi, pasi që heshtja jonë filloi të kuptohej si pranim i akuzave nga ana jonë”.

Drejtuesit të kësaj shoqate thonë se mirëpresin licencimin e dhe të kompanive të tjera për arka. “Ne e kemi mirëpritur konkurrencën mirëpo gjithnjë duke u respektuar kushtet e licencimit dhe certifikimit nëpër të cilat kemi kaluar ne si kompani”, thekson reagimi i Shoqatë së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale.

Ndryshe, Shoqatën e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, e përbejnë kompanitë “Dukagjini”, “Gekos”, “Printec” dhe “R&T” /Telegrafi/

Exit mobile version