Shtatë pagat e punëtorëve të kompanisë “Dolphin” që mirëmban ndërtesën e Qeverisë së Kosovës kanë mbetur peng i shkeljeve ligjore të kësaj kompanie.
Të gjitha mjetet që Ministria e Administratës Publike (MAP) ia derdh kësaj kompanie kontraktuese për shërbimet që realizon, shkojnë në konton e Administratës Tatimore (ATK).
Dyshohet se kjo kompani për disa vjet rresht u është shmangur obligimeve tatimore, shkruan sot Koha Ditore.
Punonjësit e kompanisë ka dy ditë që kanë bojkotuar punën duke mos e pastruar dhe mirëmbajtur ndërtesën e Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”.
Emrie Gashi, njëra prej tetë punëtoreve që punojnë me orar të rregullt në kuadër të kësaj kompanie në objektin qeveritar, ka thënë se ajo së bashku me koleget e saja nuk do të punojnë më pa i marrë shtatë rrogat që u takojnë.
“Na është sos durimi. Qe shtatë muaj kemi pasur konsideratë për pronarin duke punuar pa asnjë cent, kurse ai para tri ditësh na tha se nuk do të na i jep asnjëherë pagat. Ne e mbajmë familjen me to”./Telegrafi/