Kompania “Pro Transport” nga Prishtina ka ndihmuar shkollën e futbollit “TOP Football” nga Prishtina. Kjo kompani ka dhuruar ndihmë financiare për këtë shkollë futbolli, si nxitje për shkollat e futbollit që merren me edukimin sportiv të fëmijëve kosovarë.
Pronari i kompanisë “Pro Transport”, Faton Demaj, tregon se përse vendosi që ta ndihmojë këtë shkollë futbolli.
“Ne si kompani kemi vlerësuar se e kemi obligim moral që një pjesë të fitimeve tona t’i japim si ndihmë për ata që kontribuojnë për shoqërinë tonë. Në këtë rast, kemi menduar se një shkollë futbolli që edukon fëmijët duhet të përkrahet,” ka thënë Demaj, duke shtuar se në kuadër të përgjegjësisë korporative, kompania e tij do të vazhdojë të ndihmojë të tilla aktivitete.
Krijimi i hapësirës ligjore për sponzorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit luan një rol të rëndësishëm për bartësit, me raste e në rrethana të pandemisë e mundëson edhe ekzistencën e shumë shkollave.
Valentina Qarri, presidente e TOP Football tregon se mbështetja e kompanive si “Pro Transport” ka ndikim të drejtpërdrejtë sidomos në zhvillimin e futbollistëve, fal mbështetjeve të tilla TOP Football realizon aktivitetet për fëmije, për të rinj dhe personelin, zhvillon më tej mekanizmat për kontrolle të cilësisë së trajnimeve, mundëson aktivitete ndërkombëtare, shton rekuizita e pajisje dhe shumëçka tjetër.
“Ftojmë kompanitë e vullnetit të mirë, si në rastin e Pro Transport të ndihmojnë dhe lehtësojnë zhvillimin e sportit sepse ndihma e tyre ndikon në zhvillimin e të rinjve direkt dhe në zhvillimin e shkollave, mirënjohëse ndaj Pro Transport”, shton në fund Qarri.
Faton Demaj, pronari i kompanisë “Pro Transport”, njëherazi i inkurajoi edhe kompanitë e tjera vendore që të ndihmojnë aktivitetet sportive dhe kulturore. Në këtë mënyrë, tha ai, do të investonim në të ardhmen e fëmijëve të vendit tonë.
“Kosova e ka dëshmuar se mund të nxjerrë talent të mëdhenj futbolli dhe krejt çfarë duhet është që të përkrahen këto shkolla që shërbejnë si fole e talentëve të së ardhmes”, tha Demaj.