Site icon Telegrafi

Kompania kineze e automobilave blen aksione në kompaninë gjermane Daimler

Kompania Beijing Automotive Group (BAIC) me seli në Kinë ka blerë rreth 5 për qind të prodhuesit gjerman të automobilave Daimler AG, që është kompania kryesore e Mercedes Benz.

Në njoftimin e përbashkët të BAIC dhe Daimler AG është bërë e ditur se kompania kineze ka blerë aksione të prodhuesit gjerman të automjeteve.

Kryetari i Bordit menaxhues të Daimler AG, Ola Kallenius, tha se janë shumë të kënaqur që BAIC është një investitor afatgjatë në Daimler.

“Ky investim do të përforcojë partneritetin tonë të suksesshëm. Në të njëjtën kohë është edhe shenjë besimi në strategjinë dhe potencialin e ardhshëm të kompanisë sonë. Tregu kinez për ne nuk është vetëm për shitje, në të njëjtën kohë është një bazë shumë e rëndësishme për suksesin tonë në zhvillimin dhe prodhimin e produkteve”, tha Kallenius.

Edhe vitin e kaluar një prodhues tjetër kinez i automjeteve, Geely, ka blerë 9.69 për qind të aksioneve të Daimler AG për 9 miliardë dollarë, kështu që rreth 15 për qind e Daimler AG kaloi në duart e kompanive kineze.

Daimler dhe BAIC Group që 15 vite janë duke bashkëpunuar në Kinë. Kompania gjermane në mars të këtij viti për të thelluar bashkëpunimin në mjetet e reja të energjisë ka blerë 3.93 për qind të aksioneve të Beijing Electric Vehicle Co (BJEV) një degë e BAIC Group. /Telegrafi/

Exit mobile version