Pas mbylljes së “IuteCredit”, me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës, avokatët e biznesit në fjalë, kishin kërkuar të respektohen rregullat ligjore në të kundërtën do ta çojnë vendimin në Arbitrazh.
Sipas “globalarbitrationreview”, dy muaj pas revokimit të licencës “IuteCredit”, ka dërguar Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
BQK-ja ka mbyllur “IuteCreditin” dhe “Monegon” në fillim të dhjetorit të 2019-s, duke thënë se funksiononin me norma të interesit jashtë çdo standardi.
Më herët, “IuteCredit” ka thënë se kompania amë ka paraqitur kërkesën për arbitrazh meqenëse Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë shpjegim apo zgjidhje në lidhje me revokimin e papritur dhe të paligjshëm të licencës së ‘IuteCredit Kosova.
Kryeshefi Ekzekutiv (KE) i IuteCredit Europe, Tarmo Sild, ka shpjeguar se Ligji për Investimet e Huaja në mënyrë të qartë specifikon se investitorëve të huaj, të cilët janë trajtuar në mënyrë të padrejtë, u lejohet të ndjekin arbitrazhin në vend të përdorimit të mjeteve juridike lokale.
“Deri më tani kemi përjetuar si dhe kemi arritur në përfundimin që nuk mund të bazohemi në proceset lokale gjyqësore apo në një administratë publike transparente që do të ishte e bazuar në sundim të ligjit. Për këtë arsye kemi zgjedhur rrugën që është më efikasja për të zgjidhur situatën dhe do vazhdojmë me arbitrazhin ndërkombëtar, meqenëse Banka Qendrore e Kosovës në mënyrë të papritur dhe të paligjshme ka revokuar licencën afariste të degës sonë në Kosovë” kishte thënë Sild.
IuteCredit është një kompani ndërkombëtare mikro-kreditore dhe finetech me origjinë nga Estonia që është e përqendruar kryesisht në kredit me këste , duke përfshirë edhe kreditë për automjete. Periudha mesatare e maturitetit të kredive është 18 muaj.
Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Portfolio e partnerëve afarist të IuteCredit përfshinë shërbimet postare shtetërore, teleoperatorët ndërkombëtarë “Orange”, “VodaFone”, “Deutsche Telekom”, dyqanet e mëdha elektronike, etj.
Pas njohjes së Pavarësisë, Estonia kishte investuar në Kosovë, në mesin e të cilave është edhe “IuteCredit”./Telegrafi/