Telegrafi

Kompania e produksionit e Reese Witherspoon shitet për më shumë se 900 milionë dollarë

(Foto: IndieWire)

Kompania e prodhimit Hello Sunshine, në pronësi të Reese Witherspoon, është shitur për më shumë se 900 milionë dollarë në një kompani mediatike në pronësi të Blackstone Group Inc., ndërsa industria e filmit u befasua veçanërisht nga çmimi, duke pasur parasysh që kompania u bë fitimprurëse vetëm vitin e kaluar.

Witherspoon dhe Sarah Harden, shefe ekzekutive e Hello Sunshine, do të bashkohen me bordin e drejtorëve të kompanisë së re dhe do të vazhdojnë të mbikëqyrin operacionet e përditshme.

Wall Street Journal publikoi lajmin për shitjen e Hello Sunshine. Ndërmarrja e mediave ende e paidentifikuar e Blackstone do të udhëhiqet nga ish-drejtuesit e Disney, Kevin Mayer dhe Tom Staggs.

“Dita e sotme paraqet një moment të madh për Hello Sunshine. E fillova këtë kompani për të ndryshuar mënyrën se si të gjitha femrat shihen në media. Në vitet e fundit, kemi parë përparimin e misionit tonë përmes librave, televizionit, filmit dhe platformave sociale”.

“Sot jemi duke bërë një hap të madh përpara në partneritet me Blackstone që do të na lejojë të tregojmë histori edhe më argëtuese, me ndikim dhe ndriçuese për jetën e femrave në nivel global”, ka theksuar aktorja në një deklaratë.

Shitja e Hello Sunshine mund të shkaktojë një valë të re të blerjeve të kompanive të këtij lloji, derisa çmimi për të cilin u shit kompania shkaktoi habi në industrinë e argëtimit, duke marrë parasysh faktin se u themelua në vitin 2016 dhe u bë fitimprurëse vetëm në vitin 2020.

Projektet e Hello Sunshine përfshijnë filmat e suksesshëm, si “Gone Girl” dhe “Wild”, si dhe “The Morning Show” e “Big Little Lies”, ndërsa e ka edhe klubin e njohur të librave të Whiterspoon. /Telegrafi/