Telegrafi

Kompania e njohur nga Prishtina “Royal Company” investon mbi 40 milionë euro në një hotel luksoz në Ulqin

Kompania e njohur nga Prishtina “Royal Company” është dakorduar me zyrtarë të Malit të Zi për ndërtimin e një hoteli luksoz në Ulqin.

Të premten u nënshkrua aneksi IV i kontratës për ndërtimin e këtij hoteli i cili pritet të kushtojë mbi 40 milionë euro.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Resurseve Detare, Mladen Mikijelj dhe pronari i Royal Company nga Prishtina, Arbër Kryeziu të premten nënshkruan Aneksin IV të kontratës, e cila do të tregojë se janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për valorizimin e lokacionit të ish-hotel “Jadran-it” në Ulqin dhe një investim në vlerë mbi 40 milionë euro.

Kjo kontratë do t’i mundësojë kompanisë të fillojë punimet përgatitore për ndërtimin e një hoteli luksoz, i cili do të jetë më i madhi në Ulqin dhe do të përfaqësojë një brend të njohur globalisht.

Në nënshkrim morën pjesë kreu i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari. /Telegrafi/