Site icon Telegrafi

Kompania britanike do të investojë 1.32 miliardë dollarë në infrastrukturën e karikimit të automjeteve elektrike në vend

Investimi prej 1 miliard funta (1.32 miliardë dollarë) nga kompania British Petroleum (BP) do të rrisë flotën e saj elektrike dhe pikat e karikimit të shpejtë në Britani të Madhe, njoftoi sot kompania.

BP do të investojë në infrastrukturën e karikimit të automjeteve elektrike (EV) të vendit për një periudhë 10-vjeçare.

Financimi do të përdoret për të ofruar karikues më të shpejtë dhe ultra të shpejtë në lokacione kyçe, për të zgjeruar produktet dhe shërbimet e flotës dhe për të lançuar produkte dhe shërbime të reja dixhitale të karikimit shtëpiak për të përmirësuar shërbimet e klientëve, theksoi kompania.

Për më tepër, investimi në industrinë e karikimit do të krijojë qindra vende të reja pune në vend, transmeton Anadolu Agency.

“Investimet do të ndihmojnë në përmbushjen e kërkesës me rritje të shpejtë të Britanisë për karikimin e automjeteve elektrike dhe do të mbështesë tranzicionin e vendit drejt transportit me karbon të ulët për konsumatorët dhe automjetet”, tha BP.

Me investimin e ri, BP do të trefishojë afërsisht numrin e pikave publike të karikimit në rrjetin e saj në Britani.

Kompania planifikon të përshpejtojë hapjen e pikave të karikimit ultra të shpejtë, të cilat do të jenë në gjendje t’u ofrojnë drejtuesve të automjeteve elektrike deri në 100 milje distancë në rreth 10 minuta karikim.

Exit mobile version