Site icon Telegrafi

Kompani të vogla me probleme të mëdha (Video)

Mungesë e kuadrove profesionale, rregullativa të vështira ligjore dhe mungesë e kapitalit fillestarë. Këto janë një pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas hulumtimit të profesorit Veland Ramadani, këto janë shkaqet kryesore për uljen e numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ramadani thekson se 60% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë hapur për shkak se nuk ka pasur mënyra të tjera të fitimit, e jo se qeveria krijon kushte të mira për zhvillimin e biznesit.
“Pronarët që janë aktiv nuk ndjejnë asgjë nga masat të cilat i ofron qeveria për momentin, e të cilat janë të orientuara krejtësisht në projekte joproduktive dhe ato nuk i ndjejnë as qytetarët e thjeshtë e as ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të dhënat thonë se numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të themeluara diku 20-25% mbyllen që në vitin e parë, që do të thotë se nuk është ndonjë masë që sjellë ndonjë qëndrueshmëri në afat më të gjatë kohor”, deklaroi profesori Veland Ramadani.

Një pjesë e odave ekonomike thonë se zgjidhja e krizës politike dhe stabilizimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjithmonë përballen me sfidën e qëndrimit në treg. Së pari, derdhja e kapitalit të freskët, respektivisht mundësia të merren mjete është gjëja më kritike gjatë punës së tyre normale dhe gjithashtu, të mund t’i përmbushin obligimet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme që të ekzistojnë dhe t’i mbajnë të punësuarit që i kanë”, tha Daniela Arsovska, Lidhja e odave ekonomike.

Sipas të dhënave të fundit të Entit shtetëror të statistikave, numri i ndërmarrjeve aktive në vitin 2010 ka qenë 75 497, ndërsa vitin e kaluar ky numër është zvogëluar në 70 139 ndërmarrje./Telegrafi/

Exit mobile version