Problemi me mbeturinat në Maqedoninë ka bërë jehonë edhe jashtë kufijve, duke alarmuar kështu, kompanitë e huaja të cilat kohëve të fundit po shfaqin interesim për investim në këtë fushë. Para kryetarëve të komunave rurale të Maqedonisë, ka qëndruar korporata ITM Pover Grup, nga Amerika e cila ka ofruar impiantet e saja për zgjidhjen e këtij problemi. Takimi u mbajt në komunën e Zhelinës, ndërsa morën pjesë edhe kryetarë komunash nga Tetova Gostivari dhe Kumanova.
“Ishin tre projekte të rëndësishme. Njëri ndër to ishte deponia si projekt kryesor që e kemi në të gjithë Maqedoninë por edhe në rajonin e Pollogut, pastaj projekti i dytë me pastrimin e ujërave të zeza dhe e treta me energjinë apo partneritetin publik-privat. Ky është projekt edhe i Qeverisë dhe shpresoj të gjejmë gjuhë të përbashkët edhe me ta”, deklaroi kryetar i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Më të zëshëm në këtë drejtim kohëve të fundit kanë qenë kryetarët e komunave të Vrapçishtit dhe Bogovinës, të cilët vizituan edhe impiantet për riciklim të mbeturinave në Elbasan.
“Ka një vullnet te kryeministri për zgjidhjen e kësaj por nuk mjafton ai vullnet, duhet më tepër, që të rregullohet një herë e përgjithmonë kjo punë sepse është një problem regjional që tangon gjithë regjionin, por edhe gjithë Maqedoninë”, tha Isen Shabani
Pritet që ITM Grup, të bëjnë edhe studimin e fizibilitetit që më pas të japin edhe ofertën konkrete për zgjidhjen e problemit të deponive të egra./Alsat-M/Telegrafi/