Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komitetit Olimpik i Kosovës sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi përmes së cilit MKRS-ja i jep 280 mijë euro KOK-ut për vitin 2016, ka bërë të ditur përmes një komunikate MKRS-ja.
“Ky bashkëpunim dhe kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Kujtim Shala, ministër i MKRS-së.
Ai u shpreh se MKRS-ja me politikat e saj, po e ndihmon sportin e Kosovës në rrugën e pavarësimit financiar dhe avancimit të mëtejmë në arenën ndërkombëtare, me politika lehtësuese, me infrastrukturë dhe legjislacion bashkëkohor, si dhe me subvencionim të federatave, nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit.
Shala ka thënë se për Kosovën është shumë me rëndësi pjesëmarrja e sivjetshme në Lojërat Olimpike, të cilat do të mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit, dhe për këtë premtoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa kryetari i KOK-ut Besim Hasani e vlerësoi bashkëpunimin me MKRS-në, dhe u shpreh se Kosova po bën përgatitje të nevojshme për pjesëmarrje të dinjitetshme në Lojërat Olimpike.