Numri i rasteve të dhunës nga urrejtja është në rënie por mbetet dominues numri i rasteve të dhunës sipas përfaqësimit etnik. Sipas raportit të ri të Komitetit të Helsinkit, vitin e kaluar është regjistruar ulje e rasteve të dhunës nga urrejtja, por praktika ka treguar se ato janë në rritje gjatë periudhës para zgjedhjeve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Së këndejmi ne vlerësojmë se partitë politike në luftën për vota si nga pala maqedonase po ashtu edhe nga ajo shqiptare, qëllimisht nxisin vepra të këtilla penale nga urrejtja, që më pastaj të tregohen si mbrojtjes të popullit të tyre, gjegjësisht bashkësisë etnike dhe kështu, ata fitojnë pikë dhe vota gjatë kohës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Vojislav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.
Statistikë zyrtare për vepra penale të iniciuara nga urrejtja nuk ka. Ndërsa hulumtimet e Komitetit bazohen në komunikim me policinë dhe informimin e mediave për këto vepra. Sipas këtyre të dhënave në vitin 2013 ka pasur 110 vepra kriminale nga urrejtja, në vitin 2014 – 80 vepra, ndërsa në vitin 2015 vetëm 44.
Sipas Komitetit të Helsinkit, vitin e kaluar numri më i madh i dhunës nga urrejtja është regjistruar ndaj emigrantëve. Si shembull më pozitiv ku jetojnë grupe të ndryshme etnike e që deri më tani nuk ka pasur vepër penale që është iniciuar nga urrejtja përmendet qyteti i Dibrës./Telegrafi/