Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, përmes një komunikate të lëshuar për media ka reaguar ndaj vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të mos e ndarë mandatin për formimin e qeverisë së re. Nga Komiteti i Helsinkit thonë se vendimi i presidentit paraqet shkelje direkte të kushtetutës dhe vullnetit të shumicës së qytetarëve, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Vendimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, të mos i’a ndajë mandatin kandidatit që ka shumicën në Kuvend paraqet shkelje direkte të Kushtetutës së Maqedonisë dhe vullnetit të qytetarëve. Ky vendim gjithashtu është mohim direkt i vullnetit të shumicës së qytetarëve për formimin e qeverisë së re me 67 mandate në Kuvend. Në fjalimin e tij, presidenti nuk dha asnjë argument për këtë vendim”, thuhet në kumtesën e Komitetit të Helsinkit./Telegrafi/