Telegrafi

Komisioni për licencimin e federatave sportive nga MKRS i ka kërkuar Agim Ademit të largohet nga pozita e tij si kryetar i FFK-së

Saga e licencimit të FFK-së po vazhdon, tani me Komisionin për licencimin e federatave sportive pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dërguar një shkresë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku ka kërkuar nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi që të tërhiqet nga posti që ai mban si drejtues. 

Në letrën e dërguar FFK-së, thuhet se komisioni e ka vërtetuar që Ademi është në proces gjyqësor, dhe se për shkak të kësaj, FFK nuk mund të licencohet, pasi do të binte në kundërshtim me ligjet e Kosovës, statusin e FFK-së dhe kodin etik të FIFA-s.

“Meqenëse z. Agim Ademi sipas dëshmisë të siguruar nga gjykata kompetente në Prishtinë rezulton se është nën ndjekje për vepër penale, dhe duke u bazuar në faktin se Kodi Disiplinor i FIFA-s e ndalon ushtrimin e veprimtarisë menaxhuese në klubet dhe në federatat e futbollit për personat që janë nën ndjekje penale për veprime të padenja për pozitën që mbajnë: Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive konstaton se z. Agim Ademi që prej muajit Qershor 2019 (prej kur është në fuqi Kodi Disiplinor i FIFA-s) është duke ushtruar detyrën e Kryetarit të FFK-së në kundërshtim dhe në shkelje të akteve normative ndërkombëtare të FIFA-s anëtare zyrtare e të cilës është edhe FFK-ja që prej datës 13 Maj 2016”, thuhet në letrën dërguar Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Komisioni ka kërkuar nga Komiteti Ekzekutiv që të merr vendim ta pezullojë Ademin nga pozita e kryetarit deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij, nëse një gjë të tillë nuk e bën vet Ademi në kohë sa më të shpejtë.

Agim Ademi është në mandatin e tij të dytë si kryetar i FFK-së. /Telegrafi/