Telegrafi

Komisioni sot debaton për propozim-ligjin për një njësi zgjedhore në Maqedoni

Komisioni për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive sot do të mbajë seancën e 39-të, në rend dite të së cilës është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor.

Parashtrues të projektligjit janë deputetët Pavle Trajanov, Maja Moraçanin, Monika Zajkova, Bobi Mojsoski, Ljupço Balkoski, Dimitar Apasiev, Borislav Krmov, Panço Minov, Panço Minov,Miroslav Bogdanovski.

Me amendamentet e propozuara kërkohet që deputetët të zgjidhen në baza proporcionale pa prag elektoral, ku shteti do të ishte një njësi zgjedhore, e cila, sipas propozuesve, do t’u mundësonte partive më të vogla politike të “ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u përfaqësuar”.

Përveç kësaj, projektligji i dorëzuar parasheh që bashkësitë etnike të përfaqësuara me më pak se 20 përqind të popullsisë do t’u garantohet një vend nëse “fitojnë të paktën të njëjtin numër votash sa numri i votave të nevojshme për një mandat”.

Ky propozim fillimisht ishte futur në rendin e ditës të seancës parlamentare të caktuar për 18 maj të vitit të kaluar si pika e 58, por debati për të nuk filloi./Telegrafi/