Telegrafi

Komisioni i rithemelimit të PD-së në Shqipëri akuzon ambasadoren e SHBA-së se po ndërhynë në zgjedhje

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka publikuar sot një deklaratë të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si reagim ndaj një postimi në Twitter të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Sipas komisionit, deklarata e Kim drejtuar kandidatëve në zgjedhje vendore është në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit si dhe në mbështetje të qeverisë.

“Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Twitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranës. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë”, thuhet në deklaratën e komisionit të rithemelimit të shpërndarë nga Berisha në Facebook.

Lexo po ashtu Zgjedhjet vendore në Shqipëri, ambasadorja Kim pyet kandidatët: Nëse mbështeteni nga një non-grata, çfarë po u premtoni votuesve?

Komisioni ka shtuar se denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale.

“Komisioni i konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Evropës”.

“Komisioni i kërkon Ambasadores Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara”, thuhet në deklaratë.

Lexo po ashtu Ambasadorja Kim: SHBA ka shpallur katër persona “non grata” në Shqipëri

“Komisioni dënon çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Evropës, që çdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë”, ka shtuar deklarata.

Më herët, ambasadorja Kim ka pyetur kandidatë në zgjedhje se çfarë po i premtojnë votuesve saktësisht, nëse mbështeten nga dikush që është i përcaktuar publikisht nga SHBA për korrupsion madhor [persona non-grata].

Shqipëria pritet të mbaj zgjedhje të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit – Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë. /Telegrafi/