Telegrafi

Komisioni për Siguri vendos që të shpallet konkursi për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ndërsa lidhur me këtë u mor vendim që paneli vlerësues të jetë komisioni me të njëjtën përbërje.

Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha tha se kjo pozitë është shumë e rëndësishme dhe duhet të zgjidhet një individ i cili merr votat e të gjithë deputetëve.

Deputeti Enver Dugolli tha se nuk është e nevojshme të ndryshohet ligji, teksa propozoi të procedohet drejtpërdrejt me shpalljen e konkursit.

“Ndoshta jemi vonuar, është shumë e nevojshme që të zgjidhet komisioneri për informim dhe privatësi”, tha ai.

Edhe deputeti Elmi Reçica tha se tash ka një stabilitet të votave dhe se duhet të procedohet në bazë të rregullave.

Kurse deputetët Shqipe Selimi dhe Arbër Rexhaj propozuan që anëtarë të panelit vlerësues të jenë të njëjtit që janë në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Në këtë pikë Reçica tha se nuk ka ndodhur në legjislaturat e kaluara që në përbërje të panelit me të gjithë anëtarët e komisionit, por megjithatë u vendos që të jetë përbërja e komisionit, raporton kp.

Sqarime për emërtimin e pozitës “Komisioner i Agjencisë për Informim dhe Privatësi” kërkoi deputetja Shqipe Selimi, e cila tha se termi “informim” duhet të sqarohet pse ndodhet aty.