Telegrafi

Komisioni për Legjislacion shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme

Komisioni për Legjislacion sot në rend të ditës do ta ketë shqyrtimin dhe votimin e raportit e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fillim të javës, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ditën e premte për të kaluar në lexim të dytë këtë Projektligj.

“Në emër të deputeteve nënshkrues, dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për të kaluar në lexim të dytë, Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Seanca do të mbahet ditën e premte në ora 11:00”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/