Telegrafi

Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin që lejon gjykimin në mungesë të krimeve të luftës

Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për t’i hapë rrugë gjykimit në mungesë të krimeve të luftës.

Megjithëse pati debat, në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e komisionit u shprehën pro tij, përveç deputetit nga Lista Serbe i cili në momentin e votimit doli nga salla.

Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi tha se ky plotësim-ndryshim është mëse i nevojshëm për vendosjen e drejtësisë për krimet gjatë luftës. Sipas tij, kjo është kërkesë edhe e Prokurorisë Speciale.

Megjithëse u shprehën pro këtij plotësim-ndryshimi në parim, deputeti i PDK-së në këtë komision, Hajdar Beqa tha se kjo qasje e ndryshimeve emergjente nuk është e duhur.

Vërejtje për trajtimin me urgjence të këtij plotësim-ndryshimi dha edhe Driton Selmanaj nga LDK.

Ndërsa, Besnik Tahiri tha se AAK do të mbështesë këtë plotësim-ndryshim. /KP/