Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Nevoja për themelimin e saj u konsiderua e domosdoshme nga shumica dhe një pjesë e opozitës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu mëdyshje për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se miratimi i këtij Projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përkrahje ndaj këtij Projektligji shprehu edhe Hajdar Beqa nga PDK, por tha se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Por mëdyshje për miratimin e tij shprehu deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, njofton KP.
“Sot e kam problem ta paketojë në sistemin hierarkik institucional këtë gjykatë. Duhet më shumë informata për sistemin juridik dhe kushtetues për këtë gjykatë”, tha ai.
Derisa e përkrahu miratimi në parim të këtij projektligji, Besnik Tahiri nga AAK tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me këto veprime po përkrah politika të djathta.
Ditë parë, Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë Projektligj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë prezantimit të këtij propozimi tha se krijimi i kësaj gjykate do të mundësojë zhvillimin ekonomik.
“Duke pasur parasysh ngarkesat e gjykatave themelore trajtimi i të cilave zgjat me vite të tëra ka lindur nevoja e një krijimi të ri juridik, me anë të këtij projektligji për trajtimin e konteksteve komerciale. Themelimi i Gjykatës Komerciale do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Haxhiu. /Telegrafi/